Tema: Çfarë ndodh pas vdekjes
Teksti: Predikuesit 9:5: “Të gjallët në fakt e dinë se kanë për të vdekur, por të vdekurit nuk dinë asgjë; për ta nuk ka më asnjë shpërblim, sepse kujtimi i tyre harrohet.”
Shumë herë, na është mësuar se njeriu shkon në ferr pas vdekjes dhe se ka vetëm dy zgjedhje. Ose të besojë në Zotin Jezus Krisht ose do të dënohet përjetësisht. Në fakt, sipas kësaj, duket që ka vetëm një zgjedhje. Po nuk besove, je i dënuar përjetësisht. Në fakt të gjithë fetë mësojnë këtë gjë, por çfarë në të vërtetë mëson Bibla për këtë gjë? A e bën kjo Zotin të padrejtë. Nëse një njeri që nuk ka vrarë të dënohet përjetësisht si ai që ka vrarë mijëra njerëz, pra Hitleri të dënohet po njësoj me atë që nuk ka vrarë dhe është përpjekur që në jetën e tij të kryejë të mira, por nuk ka pranuar Krishtin? Në fakt, vetë logjika njerëzore të çon të mendosh se Perëndia na qenka një Perëndi i padrejtë. Po le të kthehemi në fillim të përgjigjes së pyetjes. A do të shkojë në ferr apo parajsë një njeri që ka vdekur tashmë?
Në Bibël nuk ka asnjë referencë që të mbështesë pozitivisht përgjigjen e kësaj pyetjeje. Bibla pranon se njeriu është në gjendje gjumi. Le të trajtojmë disa vargje që flasin për këtë dhe disa vargje që shumë të Krishterë besojnë se po ka jetë pas vdekjes dhe se njeriu ose do të shkojë në parajsë ose do të shkojë në ferr direkt sapo ai vdes.
Si fillim do t’i referohemi çështjes se çfarë Jezusi tha për këtë gjë. Jezusi gjithmonë vdekjes i është referuar si: “fjeti” ose “ka fjetur”. Epo dikush mund të thotë se Jezusi duke qenë Perëndia, për të mund të jetë kështu sepse Ai mund ta ringjallte dhe i ka ringjallur ata të vdekur, prandaj ka thënë kështu. Në logjikën tonë, kjo mund të jetë kështu, por pse nuk ka folur për çështjen tjetër Jezusi, pra atë pas vdekjes? Nga ana tjetër, ata të vdekur që janë ringjallur, nuk kanë treguar ndonjë përvojë të veçantë se ndodheshin në vend të bukur apo se u gjendën në një vend ku kishte zjarr. Apo se u larguan nga trupi dhe panë trupin e tyre i cili ishte shtrirë në arkivol, e më pas u ngjitën drejt qiellit. Askush prej tyre nuk foli kështu. As Llazari, si miku më i afërt i Jezusit dhe për të cilin Jezusi qau. Nëse këta të vdekur që Jezusi ringjalli, do të vinin nga ferri, apo nga parajsa, atëherë vepra e Krishtit në Kryq nuk do të ishte e plotë dhe fundja pse do t’i duhej Krishtit të shkonte në Kryq kur mund t’i ringjallte të gjithë ata që kishin vdekur, ose nuk do ishte e nevojshme që të vinte një shpëtim kur tashmë disa ishin dënuar në ferr? Apo, për çfarë do të duhej dita e gjykimit kur tashmë ata që kanë vdekur janë dënuar? Apo ata që kanë shkuar në parajsë, pse do të duhet të kthehen në tokë dhe të ringjallen? Megjithatë, pavarësisht mungesës në mendim, ka disa vargje ku njerëzit mbështesin besimin se ka jetë pas vdekjes.
E para është shëmbëlltyra e Jezusit në lidhje me të pasurin dhe të varfrin, i cili quhej Llazar. Këtë shëmbëlltyrë e gjen tek Luka 16:19-31. Po të vini re dhe lexoni me kujdes, aty nuk përmendet asnjë fjalë që të dy këta u gjykuan, ose patën një seancë gjyqësore në gjykatën e Perëndisë. Bibla na thotë se pas vdekje, vjen gjyqi. Heb 9:27. Aty thuhet se të dy shkuan menjëherë në vendet përkatëse. Përsëri është një fakt tjetër që përmendet vetëm në atë pjesë dhe nuk ka pasazh tjetër që është përmendur një gjë e tillë. “GJIRI I ABRAHAMIT”. Pse? Le ta shohim pak këtë shëmbëlltyrë më në kontekst.
Kush ishte Abrahami dhe çfarë ishte për Izraelitët ai? Zoti shumë herë i është drejtuar popullit të Izraelit si Perëndia i Abrahamit, Isakut dhe Jakobit. Vetë Hebrenjtë kur kanë debatuar me Krishtin kanë thënë se kanë për atë Abrahamin, Gjoni 8:53. Pra Abrahami ishte njeriu më i dashur për Judenjtë sepse ishte ati i kombit.
Gjiri i Abrahamit, simbolizon dashurinë atërore, nderin në Mbretërinë e Perëndisë dhe nderim në pjesën e bekimit të Abrahamit duke u ulur në të djathtë të tij, ose në gjirin e tij dhe Hebrenjtë e kuptonin mirë një gjë të tillë. Pra, “gjiri i Abrahamit” simbolizonte pozitën më të mirë në mbretërinë e Perëndisë sipas tyre. Kjo ishte një traditë e cila tregonte një dashuri të veçantë për atë që mbështeste kokën në gjoksin e dikujt. Gjon 21:20. Farisenjtë nga ana tjetër e “lakmonin” dhe e dëshironin këtë pozicion për të qenë pjesë e gjirit të Abrahamit dhe ata besonin se me atë që bënin dhe atë privilegj që kishin, do ta kishin këtë pozicion me Perëndinë. Kjo, me shumë mundësi do të kishte ardhur edhe nga premtimi që Perëndia i bëri Abrahamit dhe Abrahami konsdierohej si mik i Perëndisë. Jak 2:23
I varfëri nga ana tjetër simbolizonte popullin që me zell dëshironte të hante pakëz nga kjo tryezë, pra farisenjtë nuk mjekonin plagët e popullit siç duhej. Disa kapituj më parë Jezusi ju tha kështu farisenjve: “Mjerë ju, o mësues të ligjit! Sepse ju e morët çelësin e dijes; ju vetë nuk hytë dhe penguat hyrjen e atyre që po hynin”.” Luka 11:52. Duhet të kemi kujdes nga kjo frymë fariseu se pasi jemi njohur me të vërtetën dhe të kemi marrë dijen e së Vërtetës, të mos bëhemi gurë pengese për të tjerë, nëse vetë nuk duam ta pranojmë. Kur fryma e Elias të vijë para ditës së madhe të Zotit, ai do të ketë sulme të mëdha nga fryma e fariseut. Kështu ka ndodhur gjithmonë.
Dhimbjeve të njeriut, Jezusi i shikon si plagë, të cilat vinin nga shkelja e ligjit për shkak të panjohurisë. Shpirtin e tij kërkues ndaj së Vërtetës, e sheh si të varfër që kërkon të hajë nga kjo bukë që do ta ngopë dhe nuk do t’i japë më uri. Lexo Mateu 5:6, Luka 6:21; Mat 4:4 Jezusi me këtë shëmbëlltyrë ishte duke treguar se fakti që po e mbanin veten kaq të pasur, kaq lartë, nuk ishte kjo forma e duhur. Tek Zbulesa Jezusi thotë një shprehje: Sepse ti thua: “Unë jam i pasur, u pasurova dhe s’kam nevojë për asgjë”; edhe nuk e di se ti je qyqar e mjeran, i varfër, i verbër dhe i zhveshur. Zbulesa 3:17. Kjo është kisha e ditëve të fundit. (në përgjithësi)
Kjo Kishë, ishte pikërisht në këtë gjendje si të farisenjve. Besonin se ishin të pasur, besonin se nuk kishin nevojë për Krishtin, besonin në traditat dhe gënjeshtrat, etj. Ata ishin të ftohtë, pra një pjesë nga bota dhe një pjesë nga Perëndia. Mos e doni botën, as gjërat që janë në botë. Ne qoftë se ndokush do botën, dashuria e Atit nuk është në të, sepse gjithçka që është në botë, lakmia e mishit, lakmia e syve dhe krenaria e jetës, nuk vjen nga Ati, por nga bota. Dhe bota kalon me lakminë e saj; por ai që bën vullnetin e Perëndisë mbetet përjetë. 1 Gjoni 2:15-17.
Jezusi me këtë shëmbëlltyrë po ju thotë se nëse vazhdoni kështu, do ju vjell nga goja ime, pra në ditën e gjyqit do të vuani sepse fjala e Zotit thotë se më parë duhet të vijë vdekja, e më pas gjykimi. Hebrenjtë 9:27. Nëse drejtësia jonë nuk do të jetë më e madhe se e ajo e farisnjeve, nuk do të trashëgojmë mbreëtrinë e Perëndisë. Mat 5:20. Kjo shëmbëlltyrë, nuk është për të treguar se pasi njeriu vdes shkon në ferr ose në parajsë sepse nëse do isthe kështu, do të hidhte poshtë një të vërtetë të madhe, pra të gjithë Biblën. Të bëhemi të mençur.
Nëse një njeri ka shkuar në ferr, i cili për shumë të krishterë është vendi i dënimit, atëherë pse duhet të ketë një gjykim për të? Ka vargje të tjera që pohojnë se njeriu, pasi vdes shkon në gjendje gjumi. Sigurisht që Jezusi ka folur për ferrin dhe për parajsën dhe ai thotë se ka vetëm dy rrugë: “Biri i njeriut do të dërgojë engjëjt e vet dhe ata do të mbledhin nga mbretëria e tij gjithë skandalet dhe ata që bëjnë paudhësi dhe do t’i hedhin në furrën e zjarrit. Atje do të ketë qarje dhe kërcëllim dhëmbësh. Atëherë, të drejtët do të shkëlqejnë si dielli në mbretërinë e Atit të tyre. Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë” Mateu 13:41-43. Tek Marku 9:43 Jezusi thotë se është trupi ai që do të shkojë në ferr. Po ashtu edhe tek Mateu 5:30. “Tani nëse dora jote të skandalizon për mëkat, preje: është më mirë për ty të hysh dorëcung në jetë, sesa të kesh dy duar dhe të shkosh në Gehena, në zjarrin e pashueshëm” Marku 9:43. “dhe në qoftë se dora jote e djathtë të çon në mëkat, preje dhe hidhe larg teje, sepse është më mirë që të humbësh një nga gjymtyrët e tua se sa të hidhet në Gehena i gjithë trupi yt” Mateu 5:30. Jezusi nuk po thotë këtu që të masakrojmë trupin, madje, ne duhet ta mbajmë sa më mirë sepse ai është tempulli i Frymës së Shenjtë. 1 Korintasve 6:19. Dy vargjet tek Mateu dhe Marku na tregojnë se trupi do të shkojë në ferr, apo në parajsë. Po si do të ndodhë kjo?
Një ditë, të gjithë do të ringjallen. Të parët do të jenë ata që kanë fjetur në Krishtin në ardhjen e Tij të dytë. Të dytët, do të jenë mëkatarët në ditën e gjykimit. 1 Thelonikasve 4:16-17, Zbulesa 20:4-15, Isaia 26:19, Mateu 12:41, Luka 11:32, Luka 20:37.
Pra, Jezusi në këtë shëmbëlltyrë, është duke ju treguar farisenjve se ju që e keni mbajtur veten të pasur dhe se keni menduar se nuk keni pasur më nevojë, kjo do t’ju çojë në flakët e zjarrit. Krenaria dhe hipokrizia dhe mohimi i së Vërtetës. Këtë pasuri nuk e kanë ndarë me të tjerë, me të varfërit në frymë të cilët donin që të hanin vetëm pak nga kjo pasuri, nga ky thesar që ai që e gjeti, shiti gjithçka. Mat 13:44. Ata që donin të mjekonin plagët e tyre, që qentë (demonët, frymërat e errëta) jua lëpinin (duke i nxitur më shumë në mosbindje). Pra Jezusi është duke ju treguar fatin farisenjve i cili është me të pabesët dhe ata që kryejnë paudhësi. Ndërsa për ata që janë të etur, të uritur, do të ngopen. “Lum ata që janë të uritur dhe të etur për drejtësi, sepse ata do të ngopen.” Mat 5:8
Kur Jezusi foli për ata që kishin vdekur, ai ka përmendur fjalën: “fjeti”. Lexo Marku 5:39. Ai tha për vajzën që kishte vdekur se po fle. Jezusi tha për Llazarin se po fle dhe më pas ju shpjegon se çfarë do të thotë ajo fjalë. Lexo: Gjoni 11:11-13. Stefani fjeti: Veprat 7:60. Pali i referohet si fjetje vdekjes gjithashtu: Lexo: 1 Thesalonikasve 4:13-15, 1 Korintasve 15:20. Dhjata e Vjetër i referohet si fjetje vdekjes. Danieli 12:2,. Predikuesit thotë se të vdekurit nuk dinë asgjë: Predikuesit 9:5-6, 12:7. Nuk janë të vdekurit ata që lëvdojnë Zotin Psalm 115:17. Nëse një i vdekur është i vetëdijshëm, atëherë ai do të lëvdonte Zotin. Vetë Zoti Jezus tha për të vdekurit se ata janë në varre: Gjoni 5:28 Mos u mrrekulloni për këtë, sepse po vjen ora kur të gjithë ata që janë në varre do ta dëgjojnë zërin e tij. Kjo më sjellë ndërmnd profecinë tek Danieli 12:2
Të banoj me Zotin?
Pali thotë se preferoj më mirë që të bashkohem me Zotin tek 2 Kor 5:1-2,4 dhe Fil 1:23. Edhe kësaj Pali i jep përgjigje se kjo do të ndodhë në ditën e ringjalljes për një trup të ri tek 2 Kor 15:35-49. Nëse Pali është në qiell, pse duhet ai të ringjallet? Ai dëshironte të ishte me Zotin dhe ai do të bashkohej me të në gjendjen e tij të vetëdijshme kur Krishti të vijë.
Krimineli i Penduar në kryq.
Para se të japim përgjigje për çështjen e kriminelit në kryq, duhet të kuptojmë se a shkoi Jezusi vetë në parajsë atë ditë, apo natë? Sigurisht që jo! Kur Jezusi u ringjall, i tha Marias që të mos e prekte sepse ende nuk ishte ngjitur tek Ati. (parajsë) Gjoni 20:17. Gjithashtu, Jezusi iu referua “varrimit tim” kur ajo grua mëkatare kishte sjellë parfum erëmirë. Mateu 26:12, Marku 14:8.
Luka 23:43 duhet të ishte kështu: “Atëherë Jezusi i tha: -Në të vërtetë po them sot: “(ti) do të jesh me mua në parajsë”. Luka 23:43
A po thotë Jezusi se nuk është Perëndi siç disa thonë? Në radhë të parë lutem që Fryma t’ju hapë sytë e zemrës dhe mendjes për të kuptuar këtë të vërtetë. Sigurisht që Jezusi nuk po mohonte Hyjninë e Tij. Madje Ai pohoi se ishte UNË JAM-i, pra një titull vetëm për Perëndinë. Gjoni 8:58, krahason Eksodi 3:13-14. Gjithashtu ai pohoi se mund ta linte jetën e Tij dhe ta merrte prapë. Gjoni 10:18. Po pse ky qëndrim i Jezusit atëherë? Lexo se çfarë Pali thotë për këtë: Lexo Filipjanët 2:5-11. Isaia 9:5, Zbulesa 1:8,11; 21:6; 22:13.
Shpirtrat nën altar
Dikujt mund t’i ketë ardhur në mendje Zbulesa 6:9-11 që thotë: “Dhe kur hapi vulën e pestë, unë pashë nën altar shpirtrat e atyre që ishin therur për shkak të fjalës së Perëndisë dhe për shkak të dëshmisë që kishin; dhe ata thirrën me zë të madh duke thënë: “Deri kur, o Zot, që je i Shenjtë dhe i Vërtetë, nuk gjykon dhe nuk merr hak për gjakun tonë nga ata që banojnë mbi dhe?”. Dhe secilit prej tyre ju dha një petk i bardhë dhe ju thanë që të preheshin edhe për pak kohë, deri sa të plotësohej numri edhe i bashkëshërbëtorëve të tyre dhe i vëllezërve të tyre që duhet të vriteshin posi ata.” Dikush që e lexon këtë pasazh me të drejtë do të thotë se Bibla po bie në kundërshtim me veten. A është e vërtetë kjo?
Sigurish që jo. Zbulesa është një libër që përmban shumë simbole. Nëse lexon me kujdes disa vargje më sipër, pasi kjo është forma e duhur për të parë Biblën, pra në kontekst, do të shohësh edhe disa vula të tjera. Ky vegim fillon që në kapitullin e pestë me një libër që askush nuk mundi ta hapë, përveç Qengjit. Zbulesa 6 është tregim i gjendjes së Kishës përgjatë kohërave. Ja shikoni interpretimin që ka dhënë Xho Krus (Joe Crews)
E para tregon një kalë dhe kalorësi që e kalëronte e që tregon Kishën e Parë të pastër dhe pastërtinë e saj. Ajo Kishë fitoi botën për Krishtin me shenja dhe mrekulli; ashtu si edhe teksti thotë: “…doli fitimtar për të fituar..”. Pastaj sheh hapjen e vulës tjetër dhe ai më pas doli një kalë i kuq dhe atij që e kalëronte ju dha një shpatë që të hiqte paqen nga dheu që njerëzit të vrasin njëri-tjetrin. Vini re ngjyrën e kali i cili kaloi në të kuqe. Vetë Pali e tha se pas tij do të vini ujqër grabitqar që nuk do ta kursenin tufën. Veprat 21:29. 2 Thes 2:3-4. Kjo vula e dytë zgjati deri në legalizimin e Krishtërimi, atëherë kur Krishtërimi filloi kohën duke bërë shumë kompromise me besimet pagane.
Hapja e vulës së tretë tregon një kalë të zi që do simbolizojë Kishën e ndryshuar, e transformuar në doktrinën e saj. Në fakt, historia e Kishës tregon një Kishë komplet të përmbysur nga ajo e para, ndaj është prezantuar me kalë të zi. Një Kishë që doktrina e se cilës do të ishte e përzier me besime pagane, me ligje të ndryshuara, me ligje të pa zbatuara dhe të shtuara. Vula e katërt ka të bëjë me një kalë të zbehtë, një përzierje ngjyrash, bardhë, kuqe dhe zezë. Kjo është periudha më e rëndësishme e Kishë ku nga kjo periudhë miliona martirë kanë dhënë jetën e tyre. Pas apostujve, Kisha nisi të ndryshonte shumë gjëra. Këto ndryshime filluan të bëhen të mëdha deri sa Kisha u transformua në simbole pagane me emra të Krishterë. Në kohën e Martin Luter, Kisha u zbardh, po sërish ajo do të ngelte e përzier. Kjo përzierje do të ngelë deri në fund. Shumë njerëz ju hodhën bishave të egra, u vranë dhe martirizuan vetëm se refuzuan atë që Kisha Katolike predikonte. Ata besonin në shpëtimin vetëm me anë të hirit. Besonin në teori shkencore që ju kushtuan jetën. Vula e pestë tregon martirët që do të vdisnin për shkak të Fjalës së Perëndisë.
Vetëm Kisha katolike ka derdhu më shumë gjak në histori e cila vrau dhe preu të gjithë ata që e kundërshtonin, ku një ndër to ishin edhe ata që dëshironin t’i qëndronin besnik Perëndisë. Ka djegur në tufa drush shumë shkencëtarë. Në sundimi që ju dha asaj për njëmijë e dyqind e gjashtëdhjetë vite, ajo është institucioni që ka derdhur më shumë gjak në histori. Një përgjigje e shpirtrave nën altar dhe një shpjegim të bukur e jep vetë Bibla. Bibla është komentari më e mirë e vetes. Lexo Zanafillën 4:10
“Zoti i tha: -Çfarë ke bërë? Zëri i gjakut të vëllait tënd më vëngon nga toka.” Fjala vëngon në fjalorin shqip do të thotë “më oshëtin” pra thënë ndryshe, duke bërtitur me të madhe. A është kuptim figurativ kjo, metaforë? Sigurisht që po! Atëherë duke qenë se gjaku i të drejtit bërtet në veshët e Zotit, në altarin e Tij dhe jo më kot është përmendur nën altar. Altari ishte vendi ku bëheshin sakrificat. Këto shpirtra ishin sakrifikuar për shkak të emrit të Krishtit dhe dëshmisë që ata mbanin. të cilët do vishen me petk të bardhë që prezanton pastërtinë dhe të blerë me gjakun e Krishtit. Ata nuk adhuruan bishën, as figurën e saj, as emrin e saj.
Jo vetëm kaq, por fakti që është përmendur altari, therja tregon një sakrifikim për të tjerët dhe Krishtin. Nëse do e mbanin vetëm për veten e tyre atë mesazh, nuk do të përfundonin si qengja për therje. Zbulesa 7:14-17. Zbulsa kap 7 po na tregon plotësimi e këtij numri që ky numër tregon plotësimin e plotë të bekimit të Abrahamit. Tregon bekimin e plotë që është numri 12. Ky numër është një numër që është përdorur shpesh në Bibël duke filluar me dymbëdhjetë fiset e Izraelit, 12 dishepujt, rreth 120 dishepuj në kohën kur Krishti u ngjit në qiell dhe kur erdhi dita e rrëshajave dhe 12×12000.
Ja një koment nga Komentari i Ranko Stefanoviç rreth Zbulesës: “Altari.” Tempulli i Dhiatës së Vjetër kishte dy altarë. Altari i flijimeve ishin në oborrin e jashtëm, jashtë tempullit për flijimin e kafshëve brenda olokaustit. Brenda tempullit ishte altari i temjanit. Altari në pamje këtu, ka shumë të ngjarë të jetë altari i olokausteve dhe jo altari i temjanit. Kjo është e qartë dhe shihet në faktin se në ritualin e tempullit të Dhiatës së Vjetër, gjaku derdhej në altarin e olokausteve. “Tërë gjakun e demit do ta derdhë në altarit e olokausteve” (Lev. 4:7, 18, 25, 30-34; 8:15; 9:9). Fraza “i derdhur” përdoret gjithashtu te Zbulesa 16:6 ku është gjaku i shenjtorëve dhe profetëve që u derdh (duket nën altar siç tregon vargu 7). Altari i flijimi nuk ishte në tempull, por në oborrin e jashtëm, dhe kjo na tregon qartë se skena e portretizuar këtu nuk ndodh në tempullin qiellor, por në tokë që ishte simbolizuar si “oborri i jashtëm i tempullit”. “ f. 238
Këtu, numri është i plot, ndryshe nga dymbëdhjetëshet e mëparshme. Këtu nuk mungon më asgjë. Më pas, jep që këta do të vishen me të bardha do të jenë me qengjin e jo duke qëndruar tek altari por tek mbretëria e Qengjin, e Bariut të Madh. Vargjet e fundit i kapitullit të shtatë, lidhen ngushtë me Zbulesën kapitujt 21-22. Ata shpirtra në Altar janë simbolikë e atyre që kanë fjetur për shkak të persekutimit të madh, të vrarë për shkak të dëshmisë së tyre dhe gjaku i tyre bërtet. Ata thonë deri kur o Zot? Që tregon se kur do marrë fund ky persekutim. Ky nuk është një tregues që shpirtra janë në qiell, por një simbolikë që tregon se vuajtje është e madhe nga e keqja dhe se përgjigja e Zotit është se fundi do të jetë afër. Gjithashtu lutjet e atyre që vuajnë për shkak të drejtësisë duke kërkaur në lutjet e tyre përgjigjen se kur do të marrë fund ky mundim.
Imagjino pak! Nëse këto shpirtra do ishin në qiell, atëherë pse duhet të bërtisnin me të madhe? A nuk ishin këta në qiell duke shijuar lavdinë e Perëndisë? Pse duhet të thonë ato fjalë? Vetëm kur e mendon pak më gjatë, del në një pyetje: “Po çfarë ka dashur Perëndia të na tregojë?” Unë besoj se e keni marrë përgjigjen. Psalmi 104:29-30 thotë: “Ti fsheh fytyrën tënde dhe ata e humbasin fare; ti heq frymën, dhe ata kthehen përsëri në pluhurin e tyre. Ti dërgon frymën tënde dhe ata krijohen, kështu ti ripërtërin faqen e dheut.” Predikuesit 12:7 “..dhe pluhuri t’i kthehet tokës (dheut) siç ishte më parë dhe fryma t’i kthehet Perëndisë që e ka dhënë” Zanafilla 2:7 “Atëherë Zoti Perëndi formoi njeriun nga pluhuri i tokës, i fryu në vrimat e humbës një frymë jete, dhe njeriu u bë një qenie e gjallë” (në anglisht një shpirt i gjallë – living soul – KJV ) Vula e gjashtë tregon kohën në të cilën ne jemi. Miq, Zbulesa na tregon se ne jemi shumë afër fundit.
Bibla është e qartë, por ndonjëherë na duket neve e komplikuar. Sigurisht që edhe unë kur kam zbuluar këtë të vërtetë, jam lehtësuar, madje edhe nga përgjigjet që mund të jepja ndaj atyre që donin të dinin të vërtetën. Bibla është e qartë dhe e thjeshtë. Kjo dogmë është e kishës Katolike pasi ata merrnin përfitime (edhe marrin) nga kjo ideja e ferrit, apo “gjirit të Abrahamit” që ata e kanë quajtur purgator, pra një vend ku njeriu qëndron aty dhe pret ose të shkojë në ferr ose në parajsë. Në periudhën e errët, kjo ka qenë një metodë e mirë për të marrë fitime të pandershme ndaj njerëzve të cilët paguanin për të afërmit e tyre dhe blinin indulgjenca duke besuar se sa më shumë të paguaje, apo sakrifikonin, do të shpëtonin të afërmin e tyre që ishte duke pritur në purgator. Kjo është herezi dhe se Bibla nuk pohon asnjë gjë dhe në asnjë vend një gjë të tillë. Kjo dogmë gjithashtu ka ardhur e nxitur nga mitologjia Greke që fliste për Hadesin si botën e të vdekurve dhe zotin e tyre. Madje për brezat mbi 25 vjeç, me shumë mundësi do të kenë parë në fëmijërinë tyre filmin e Animuar “Herkuli” që aty tregohet një luftë midis Herkulit dhe Hadesit, pra, perëndinë e botës së të vdekurve.
Në fakt si fjalë, nga ata që merren me etimologji, mund ta etimologojnë si një fjalë që krijojë këtë kuptim në shqip; që nënkupton Hadhes, Ha-dhes, Ha-dhe. Unë nuk e di nëse ky etimologim mund të jetë i vërtetë, por nga interpretimi Biblik i përafrohet më shumë se çdo gjë tjetër. Prej kohësh edhe unë kam besuar se njeriu kur vdes, ose shkon në ferr, ose shkon në parajsë, por Bibla e pohon se njeriu i kthehet pluhurit dhe se aty do të flejë deri sa të vijë dita e ringjalljes. Në ardhjen e Krishtit, do të ringjallen ata që kanë fjetur duke besuar në Të dhe në ditën e gjykimit ata që kanë fjetur pa besuar në Të. Tani, unë besoj atë që Jezusi mësoi dhe jo atë që Kisha ka mësuar, apo mitet më kanë treguar apo tradita ka treguar. Fjala e Perëndisë është e besueshme dhe përmbi çdo gjë. Mbi traditën, mbi njeriun, mbi kishën, mbi fenë.
Vargje që përdorin fjalën fjeti kur i referohet vdekjes: 1 Mbret 2:10;11:43; 14:20,31; 15:8,24; 16:6,28; 19:5; 22:40,50; Jobi 7:21; 14:10-12; Psalm 13;3; 90;3-6; Dan 12:2; Mat 9:24; Mark 5:39; Luka 8:52-53; Ligji i Përtërirë 31:16; 2 Sam 7:12; Zbulesa 14:13; 1 Kor 15:6; Gjon 5:28-29; 14:13-15; Psalm 17:15; Isaia 26:19; Luka 16:22-23; 1 Kor 15:20; Jeremia 51:39,57; Psalm 7;3-5;